Kosovës tashmë i duhet Shqipëria dhe jo marrëdhënia e tensionuar që ka ngritur Kurti, sepse me gjithë “qartësinë” e tij e presin ditë të vështira

Nga: Ben Andoni
www.liberale.al

Pak vite më parë, Albin Kurti ka bërë një paraqitje shumë interesante bashkë me një apel se çfarë do ndodhte dhe rrezikun me rikonceptimin e komunave serbe në Kosovë. Të njëjtën paraqitje e bëri, por tashmë si zyrtari më i lartë ekzekutiv i vendit në Bruksel, këtë herë në një stad më të lartë për modalitetet e dialogut. Në rastin e parë, po flitej sesi serbët përpiqnin të ngrinin në rang njësish komune edhe aty ku nuk kishin përparësi demografike dhe se zinxhiri i tyre e ndante Kosovën në dy pjesë.

Shqetësimi dhe argumentimi i politikanit të ri ishte real. Veçse komunat që po bëheshin dhe do kërkonin një status të veçantë, në të ardhmen mund të ishin normal edhe strehë e çdo krimineli, që mund të vinte i paprekur qysh nga Beogradi, pa u kontrolluar fare nga autoriteti i Prishtinës. Aq mëvetësi, i jepte statusi i atëhershëm. Aq, po u jep dhe tani, por në kohë dhe kushte të reja, në një dokument të stilit non-paper që askush nuk e tregon origjinën por shumëkush i referohet. Një botim i VV e ilustronte saktë argumentin, por forca me të cilën u mbrojt i dha me shumë të drejtë peshë Lëvizjes Vetëvendosja për qartësinë dhe alarmin. Sesi u zhvilluan ngjarjet e dimë mirë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e hodhi poshtë planin e Asosacionit të komunave serbe, si të pajustifikuar me dokumentin themeltar të shtetit. Sot, vetëm flitet dhe nuk kemi shkuar ende as në burimin e dokumentit.

Po çfarë është një non-paper? Në gjuhën diplomatike është e përcaktuar se një “non-paper” konsiderohet akti kur një qeveri i përcjell një çështje qeverisë/qeverive ose pjesëtarëve të tjerë të një shteti veçse nuk e protokollon. Interesante është se ky dokument i rëndësishëm por pa asnjë burim zyrtar deri vonë i është atribuuar Francës dhe Gjermanisë, dy superfuqitë evropiane tejet të ndjeshme për këtë dialog. Paçka se është mohuar nga instancat më të larta të tyre, ajo pjesë e panjohur e njerëzve që merren me të është konfirmuar. Nuk është marrë vesh sesi ka rënë në dorë të “Koha Ditore”, medias së njohur kosovare, por më “ e panjohur” është se pse redaktorët profesionistë nuk e “kanë provuar” para se ta botonin autencitetin e saj!! A ka ndonjë gjasë që të ketë lidhje me faktin se një nga njerëzit e saj kryesorë, Surroi, një personalitet i njohur i politikës dhe sidomos i publicistikës kosovare, është thirrur në dialogun me Serbinë?!

Ka vite që Çështja “Kosova” prodhon lajme të tilla dhe gati para një viti flitej me siguri dhe madje konfirmohej nga zyrtarë të lartë se kishte një plan ndarje. Rama dhe Thaçi e mbajnë në kurriz akuzën, paçka se zyrtarisht është hedhur poshtë nga zyrtarët e administratës amerikane. Nëse ky non-paper është bërë prezent, me gjasa logjike duhet të ketë të tjerë syresh, që i kanë paraprirë atij. Edhe për këto nuk dihet gjë. Në non-paper e radhës, pothuaj bëhet e qartë se Kosova e Serbia do t’i njohin njëra-tjetrës integritetin, do të bëjnë demarkacion të pranuar dhe më shumë se kaq do futen në një udhë stabilizimi. Veçse tashmë Kurti ua kë bërë të qartë se nuk është si më parë: janë të barabartë dhe si të tillë do ulen. Por a ka mundësi, kryeministri kosovar që të diktojë? Koha dhe realiteti tregon se jo…

“Posa që xhindi të dalë nga shishja, zor që mund ta kthejmë atë në burgun ngujues. Qeveria e porsakrijuar e Kosovës nuk u ngut me vlerësimin e mundësive për vazhdimin e negociatave për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe ofrimin e pikë-vështrimeve të saj mbi procesin”, shkruan Dr. Marc Weller, një nga njerëzit që ka asistuar për Kosovën. “Kosova do të duhej ta formulonte qasjen e vet bazë për negociatat e ardhshme, po qe se nuk dëshiron të jetë vetëm pasagjere në trenin që niset së shpejti. Kosovës do t’i duhet të ndihmojë në formësimin e mjedisit negociator dhe pritjeve të palës tjetër, ashtu si edhe të lehtësuesve, shton më poshtë studiuesi me një barrë titujsh, duke ofruar 10 pika, që nuk janë pjesë e qasjes së qeverisë së Kosovës dhe e përgatitjes së tyre, botuar po te “Koha Ditore“.
Por, pika kryesore që vendos specialisti është një dhe vetëm 1: “Kosova do të duhej ta formulonte qasjen e vet bazë për negociatat e ardhshme, po qe se nuk dëshiron të jetë vetëm pasagjere në trenin që niset së shpejti. Kosovës do t’i duhet të ndihmojë në formësimin e mjedisit negociator dhe pritjeve të palës tjetër, ashtu si edhe të lehtësuesve”, argumenton ai.

Por a do ta lerë Serbia dhe a është kaq e thjeshtë dhe e zgjidhur? “E kam lexuar në mes të natës kur isha rrugës duke u kthyer nga Brukseli. Ajo është hartuar nga dikush që është shumë, shumë më e mençur se unë, shumë dinak. E shoh se të gjithë e mohojnë, por kjo letër më ka shqetësuar më shumë se e para”, ka thënë ai. “Një gjë kyçe është në atë letër – njohja e pavarësisë së Kosovës, gjë që është e tmerrshme – këtu 90 për qind të gjërave janë më pak të rëndësishme, por më e rëndësishmja shkon për ne”, shkroi ditët e fundit Vuçiç, kur non-paper po bëhet problem pasi një reaksion zinxhir mund të pasojë të gjithë rajonin.

Për ata që se kanë ende të qartë: Bashkimi Evropian do të vazhdojë të lehtësojë procesin deri tek nënshkrimi i marrëveshjes ligjërisht obliguese mes të dyja palëve, që do të ndihë shumë njerëzit. Ndërkohë që Kosova nuk do të duhej të vendoste barriera tregtare ndaj Serbisë, ndërsa Serbia të respektonte status-quon lidhur me praninë ndërkombëtare të Kosovës. Të dyja palët do të duhet të respektojnë moratoriumin në skenën ndërkombëtare. Dokumenti propozonte që secila palë të respektonte sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e palës tjetër. Është llogaritur edhe një “distrikt autonom i Kosovës veriore”. Ndarja tani jepet më e këndshme me këtë eufemizëm diplomatik.

Një gjë mungon seriozisht dhe kjo lidhet me mënyrën sesi konceptohet Kosova sipas rezolutës 1244. Kosova as nuk e përmend më dhe e ka suprimuar në ligjërimin që në momentin që pavarësia e saj u njoh dhe nga Gjykata e Hagës, kurse serbët, që humbën me kërkesën e tyre, vazhdojnë dhe i referohen. Ajo mori edhe njëherë jetë, kur krahu i djathtë i presidentit Putin, kryediplomati rus Sergej Lavrov ka publikuar pak kohë më parë edhe strategjinë ruse në negociatat e ardhshme për Kosovën. Moska nuk do të nisë bisedimet me SHBA-në nga pozita e sotme, pra që Kosova është shtet i pavarur, por në bazë të 1244, që Kosova është pjesë e Serbisë, përcaktoi. Një gjë po kuptohet qartë se njohja e Kosovës do jetë e largët nga Serbia, përderisa Moska vazhdon që të ndikojë indirekt duke kërkuar pazar për Republika Srbska dhe Maqedoninë, kurse administratës së re Kurti, i duhet vërtetë tej retorikës një lloj i ri bashkëpunimi me strukturat drejtuese të BE-së për Kosovën e së ardhmes.
***
Dhe, më shumë akoma, Kosovës tashmë i duhet Shqipëria dhe jo marrëdhënia e tensionuar që ka ngritur Kurti, sepse me gjithë “qartësinë” e tij e presin ditë të vështira. Kosovarët po vaksinohen në Serbi në vend të Shqipërisë, teksa Kurti e qesëndis vendin amë me alternativa politike!! Dhe, treni i mundësive po iku, rikthehet në orë të tjera në histori. Atëherë kur Kurti do duhet ta kuptojë dhe t’i dalë ballë një kohe që i ka ikur sepse e ka kapur pala serbe. (Homo albanicus)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *