Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ‘nuk janë të lehta’ bisedat rreth Kosovës me përfaqësues të vendeve që njohin pavarësinë e saj.
“Për ne s’është e lehtë asnjë bisedë për Kosovën me ata që e njohin pavarësinë e saj dhe e vënë në pah këtë”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb u shpreh kështu për mediumin Tanjug, transmeton KOHA.
Në lidhje me takimin e zhvilluar gjatë javës me të dërguarin e SHBA-së Gabriel Escobar dhe atë të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, presidenti serb tha se gjatë takimit ata i kanë përcjellë mesazhe të cilat i kanë deklaruar edhe publikisht.
Pas qëndrimit në Kosovë, Escobar dhe Lajqak zhvilluan takime edhe në Beograd. Atje përçuan mesazhin se ndajnë të njëjtin vizion për procesin e dialogut dhe se përpjekjet synojnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Të dy kërkuan nga Serbia dialog konstruktiv me Kosovën.
Ndërkohë, gjatë vizitës në Kinë, Presidenti Vuçiq tha se me zyrtarët kinezë është diskutuar “për çështjet strategjike” dhe për përkrahjen në institucionet ndërkombëtare si çështje “shumë e rëndësishme për shtetin tonë për shkak të Kosovës”.