Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk sanksionojnë individë për shkak të pikëpamjeve politike, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.
“Njerëzit që i shprehin pikëpamjet politike nuk duhet të shqetësohen”, ka thënë Hovenier.
Në një intervistë për RTK, ambasadori amerikan tha se sanksionet mund të jepen për ata që kryejnë vepra dhe që sipas rregulloreve ose ligjit lejohet vënia e sanksioneve ndaj tyre.
“Siç e kemi thënë, kushdo që është i përfshirë në krim të organizuar transnacional do të duhej të shqetësohej që do të përballet me sanksione specifike. Gjithashtu duhet të shqetësohet kushdo që sfidon një rend kushtetues të një vendi që e kemi njohur dhe me të cilin punojmë”.
Hovenier tha se ajo që ka arritur Kosova në 14 vitet e fundit është ‘e jashtëzakonshme’.
“Mendoj se është mrekulli. Por, ende ka punë që kjo mrekulli të ecë përpara”, ka thënë ai për televizionin publik.