Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje që secili vend i botës të vazhdojë luftimin e virusit COVID-19, përkundër përmirësimit të gjendjes në Kinë dhe Korenë e Jugut.
“Do të jetë një betejë afatgjate dhe nuk duhet të ndalemi. Duhet që çdo vend i botës të vazhdojë masat kundër virusit bazuar në situatën në terren”, tha drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Paqësorin Perëndimor, Dr. Takeshi Kasai.
Dr. Kasai dhe ekspertë të tjerë gjatë një konference tjetër theksuan se qeveritë duhet të marrin masa aktive dhe të ruajnë trysninë për të ndaluar përhapjen e infeksionit të rrugëve të frymëmarrjes, transmeton Zëri i Amerikës.
Kina njoftoi për një të vdekur dhe 48 raste të reja të martën, asnjë prej tyre nuk e kishte origjinën brenda vendit, ndërsa Koreja e Jugut njoftoi për 125 raste të reja.