Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që të krijohet një platformë e gjithë përfaqësuesve në Kuvend dhe me te të vazhdohet tutje në dialogun me Serbinë.
“Në mënyrë që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti apo kushdo të arrijë diçka duhet të ketë riunifikim të brendshëm në Kosovë dhe të dalim me një platformë unike të të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në Kuvendin e Kosovës dhe atë platformë ta mbrojmë me ngulm”, ka thënë Osmani, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Këtë qëndrim, Osmani e shpalosi pas vizitës që zhvilloi në Shqipëri.
Herën e fundit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel më 7 shtator, kur edhe u hap tema e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Takimet në nivel të ekspertëve mbahen me qëllim që të arrihen pajtimet në lidhje me temat që i hapin liderët. Takimet e këtilla, janë mbajtur shtatë herë radhazi, duke u arritur pajtim parimor vetëm në dy tema, ato që kanë të bëjnë me të zhdukurit dhe të zhvendosurit, si dhe bashkëpunimin ekonomik.