Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia nuk e meriton anëtarësimin në BE derisa “aktivisht angazhohet në spastrim etnik” të Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit.
Përmes një postimi në Facebook, zyrtarja e LDK-së ka publikuar shifra ndër vite të banorëve të regjistruar në këto komuna shqiptare në Serbi.
“Rreth 60 kilometra në veri-lindje të Prishtinës, shtrihet komuna e Medvegjës. Kjo komunë, në regjistrimin e vitit 2011 numëronte 7438 banorë. Tani, ndonëse pa statistika zyrtare, supozohet se në Medvegjë janë të regjistruar afërshisht vetëm 600 shqiptarë.
Ky reduktim sistematik i popullsisë shqiptare në Medvegjë nuk është i rastësishëm. Privimi nga edukimi e punësimi, cënimi i të drejtave në gjuhë e përfaqësim si dhe shtypja e vazhdueshme e regjimit serb kundrejt shqiptarëve në ato lokalitete ka ndikuar në dyndje të popullësisë shqiptare, për të kërkuar kushte më të mira për familjet e tyre.”
Osmani ka thënë se Serbia po përdor “metoda të sofistikuara” për t’i larguar banorët nga këto komuna.
“Problemi tjetër në pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi është edhe fakti se për një veprim të tillë shteti serb nuk lëshon fare një vendim me shkrim që dëshmon se ju është pasivizuar adresa. Kjo informatë kumtohet vetëm gojarisht. Ky veprim nuk është i rastësishëm: ai synon t’i parandalojë qytetarët shqiptarë të ndërmarrin veprime ligjore kundër Serbisë për shkelje të të drejtave të tyre dhe diskriminim në baza etnike.”
Në fund të shkrimit, Osmani ka kërkuar që më të mos heshtet në adresimin e çështjeve për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.