Është e rëndësishme që Kosova të bashkëpunoj me Gjykatën Speciale dhe ajo të shpërbëhet vetëm kur të arrijë përmbushjen e misionit dhe mandatin e saj.
Kështu ka deklaruar Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer, i cili gjithashtu ka thënë se SHBA-të mbështesin procesin e dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja.
“Një zgjidhje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve do të kishte ndikim të madh për stabilitetin në rajon dhe do të nxiste të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit evropian”, ka thënë Palmer në një bisedë për portalin Balkan Insider, transmeton Zëri i Amerikës.
Duke folur për idenë e shkëmbimit të territoreve, ai ka thënë se kjo e largon vëmendjen nga synimi qendror “i cili është që palët të ulen, të diskutojnë këto probleme dhe të identifikojnë rrugën përpara drejt normalizimit”.
“Prandaj mendoj se është jashtë teme dhe thjesht shpërqëndruese të diskutohen ide si shkëmbimet territoriale. Me rëndësi është që palët të ecin përpara për një marrëveshje që sjell zgjidhje përfundimtare”.
Lexo më shumë këtu