Masat e izolimit kundër pandemisë Covid-19 kanë goditur edhe industrinë e botimeve.

Mbyllja e librarive në Kosovë ka bërë që ato ta fuqizojnë shërbimin e shitjes dhe dërgimit të librave në adresat e blerësve, dhe kështu libraritë kanë mundur të vazhdojnë funksionimin edhe gjatë ditëve të izolimit.

Por, ngjarja vjetore më e rëndësishme e librit, Panairi i Librit, pritet ta pësoj më rëndë.

Shtyrja e edicionit të 22-të të Panairit shihet si goditja e radhës për shtëpitë botuese. Prej vitit 2011 kjo ngjarje mbahet në fillim të qershorit. Nëntë edicione u mbajtën në fund të majit.  

“Po presim deri në fillim të majit për të parë masat që do të ndërmerren nga institucionet që në njëfarë forme na e qartëson edhe gjendjen. Hapi i parë që do ta ndërmarrim është ta shtyjmë për një kohë, me shpresën që do të piqen kushtet për një ngjarje të tillë gjatë muajve shtator ose tetor.” ka thënë për Koha.net, Edon Zeneli, Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Ai ka shprehur shqetësimin se këtë vit do të ketë më pak botime, dhe kjo është duke ndodhur në gjithë botën. Pasojat, sipas tij, do të jenë zinxhirore, pasi përtej botuesve do të preken edhe përkthyesit, redaktorët, lektorët dhe shtypshkronjat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *