Nga sot ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë që do të mbahen më 14 shkurt.
Gjatë ditës së parë të fushatës, partitë politike kanë nisur të shpalosin programin e tyre nëpër qytetet e Kosovës, përmes reklamimeve në mediume dhe përmes pjesëmarrjes së kandidatëve nëpër emisionet televizive.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka mbajtur tubim në Prishtinë bashkë me listën e Vjosa Osmanit.
“Kemi bërë një rrugë të vështirë deri këtu por të drejtë. Kemi paguar kosto sepse nuk jemi dashur të bëjmë kompromis përballë politikës së vjetër e të korruptuarve. Qytetarë ju kanë mashtruar aq shpesh sa nuk ju besoni më programeve politike. E kur e kujtojmë qeverisjen tonë që nisi një vit me parë, jam me besimin e plotë që do t’i realizojmë qëllimet tona sepse bashkë gjithçka është e mundshme. Bashkë do t’i referojmë spitalet e klinikat publike, do ta rrisim buxhetin për shëndetësinë dhe do të ketë nevojë më pak të shkojmë e të shërohemi jashtë vendit”, ka thënë ndër të tjera Kurti, transmeton Koha.net.
Ndërsa, Osmani tha se “këto zgjedhje, në fakt ky referendum, është mundësia e juaj për të ndryshuar të ardhmen e vendit tonë.”
Në hapje të fushatës zgjedhore, kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj ka premtuar se do të punoj në të ardhmen “për një shtet me dinjitet”.
“Së bashku do ta bëjmë Kosovën një shtet me dinjitet. Një shtet ku sundon ligji. Së bashku do ta zhvillojmë Kosovën në çdo aspekt. Së bashku do ta ndreqim imazhin e Kosovës dhe do t’ia kthejmë krenarinë Kosovës. Së bashku për Rimëkëmbje!”, tha Hoxhaj.
Ndërkohë, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, gjatë hapjes së fushatës në qytetin e Prizrenit tha se zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të zgjedhin edhe presidentin e vendit.
“Një ide themel vazhdon me qenë e jona se ne dëshirojmë të jetojmë në paqe me fqinjët tanë, por duke e mbrojte tonën. Prizreni është një qytet që na nderon. Qytet i vlerave kulturore, fetare e trashëgimisë. Prizreni ka sfidat e veta, i mungon hekurudha, lidhja me Tetovën, do të jemi bashkë për Prizrenin e Kosovën. Më 14 shkurt kur votojmë suksesi i këtyre nuk do varet vetëm nga zgjedhja e Kuvendit por edhe të presidentit. Nëse nuk e zgjedhim presidentin, këto zgjedhje do jenë dështim”, ka thënë Haradinaj, transmeton Express.
Në ditën e parë të fushatës, kreu i partisë NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se do të ketë befasi në ditën e zgjedhjeve.
“NISMA Socialdemokrate do të jetë befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve, do ta shihni më 14 shkurt, për faktin se qindra mijëra qytetarë që nuk kanë qenë me Nismën po rreshtohen e po i bashkohen kësaj kauze dhe po e shohin këtë projekt si mbi partiak”, thuhet në përmbledhjen e postuar në faqen zyrtare të partisë në Facebook.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur fushatën në qytetin e Podujevës. Kandidati i saj për kryeministër, Avdullah Hoti, tha se qëllimi është të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave.
“Qeveria e LDK-së e ka hequr fjalën korrupsion nga diskursi i brendshëm, asnjë aferë apo akuzë nuk është ngritur ndaj kabinetit qeveritar apo zyrtarëve të lartë gjatë këtyre muajve. Në politikën e jashtme programi ynë parasheh fuqizimin e marrëdhënieve me partnerët tanë. Synojmë përafrimin me NATO-n. Do të përmbyllim procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë ndër të tjera Hoti, transmeton Koha.net.