Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbështetur marrëveshjen që pritet të nënshkruhet mes Kosovës dhe Serbisë për të konfirmuar pajtimin e dy palëve karshi propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Të premten, i dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak takoi në Prishtinë krytarët e tri partive kryesore opozitare.

Pas takimit me Lajçak, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se është informuar “në hollësi për progresin e arritur deri më tash në përfundimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Shpreha vlerësimin tim për unitetin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetje të kësaj marrëveshje. E vlerësova lart angazhimin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në funksion të arritjes së marrëveshjes, rol i cili është jetik në zbatimin e saj”.

“Për Aleancën për Ardhmerinë e Kosovës kjo marrëveshje është me interes nacional, pasi që e siguron rrugëtimin tonë të qëndrueshëm drejt integrimeve euro-atlantike” ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndryshe nga Haradinaj, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë shprehur aq optimist se çfarë do të sjellë marrëveshja e pritshme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila mund të nënshkruhet gjatë këtij muaji në Ohër.  

“Qëndrimi i PDK-së mbetet i konsistent dhe i pandryshueshëm në raport me këtë marrëveshje, e cila është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një progres final, të cilin e kanë pritur të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga PDK-ja, transmeton Klan Kosova.

“Kjo marrëveshje, heqë dorë prej arritjes së njohjes së ndërsjellë. Kryeministri Kurti e ka keqpërdorur legjitimitetin qytetar për t’i bërë një dëm afatgjatë Kosovës, duke ia zvarritur në pafundësi konfliktin e ngrirë me Serbinë”.

Ndërkohë, në njoftimin e LDK-së thuhet se kjo parti “i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-së. LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”.

“Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Në takim me të dërguarin e BE-së, Abdixhiku thuhet të ketë kërkuar nga Lajçaku sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, “në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”, transmeton Klan Kosova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *