Tek e fundit, kryeministri hungarez Orban dhe presidenti kinez Xi kanë shumë të përbashkëta kur është fjala për shtypjen e kundërshtarëve politikë dhe nxitjen e ndjenjave nacionaliste

Nga Daniela Schwarzer
Politico.eu

Aktualisht të gjithë i kanë sytë tek Rusia. Por ndërkohë vazhdon të shtohet shqetësimi në lidhje me marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Kinën. Nga bojkoti diplomatik i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, tek përballja me ndëshkimin ekonomik të Kinës ndaj Lituanisë dhe trajtimi i modelit të saj autoritar brenda sistemit shumëpalësh, lista e ankesave zgjerohet nga dita në ditë.

Megjithatë, është e rëndësishme të mos harrohet se ashtu si me Rusinë, arritja e një qëndrimi të unifikuar të BE-së ndaj Kinës, nuk është një fakt i kryer. Brenda bllokut ka disa qeveri, të cilat jo vetëm e shohin marrëdhënien e ngushtë me presidentin kinez Xi Jinping, si një faktor kyç për zhvillimin e tyre, por po ashtu e shohin atë si një aleat ideologjik.

Dhe dështimi i Brukselit për të adresuar degradimin e demokracive në disa vende anëtare të saj gjatë dekadës së fundit, e bën shumë më të lehtë detyrën e Kinës. Pekinit i mjafton që të ndikojë në vendosjen e vetos së një vendi të vetëm për të shkaktuar mosmarrëveshje, dhe ai di se si ta bëjë këtë.

Mjafton që të shihni Hungarinë, që është shembulli më i mrekullueshëm i një vendi anëtar që pranon propozimet e Xi, përfshirë edhe ato mbi stilin e udhëheqjes. Tek e fundit, kryeministri hungarez Orban dhe presidenti kinez Xi kanë shumë të përbashkëta kur është fjala për shtypjen e kundërshtarëve politikë dhe nxitjen e ndjenjave nacionaliste.

Ndërkohë Hungaria është shndërruar në destinacionin kryesor në Evropën Qëndrore dhe Lindore për investimet kineze. Tani Budapesti është qendra evropiane e logjistikës për kompaninë Huawei. Kjo ka sjellë projekte të diskutueshme vitet e fundit, si hekurudha Budapest-Beograd, e cila u ndërtua me paratë kineze, dhe kampusi i parë universitar kinez në BE që do të ndërtohet pikërisht në Budapest, po ashtu falë një kredie të dhënë nga Pekini.

Madje në tetorin e vitit të kaluar, Hungaria negocioi marrjen e një huaje nga Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë e mbështetur nga Kina, për përmirësime në sistemin e saj shëndetësor, kredia e parë e këtij lloji e dhënë jashtë Azisë. Por këto 2 vende nuk lidhen  vetëm nga ideologjia dhe investimet.

Vitin e kaluar, kur Ministri kinez i Mbrojtjes,Wei Fenghe, vizitoi Hungarinë, një vend anëtar i NATO-s, ai foli për gatishmërinë e Kinës për t’i “çuar marrëdhëniet ushtarake në një nivel të ri”. Budapesti është zotuar që të prodhojë vaksinën anti-Covid të kompanisë kineze “Sinopharm”, pavarësisht se ajo nuk ka marrë ende miratimin e Agjencisë Evropiane e Barnave.

Kjo ndërthurje e ngushtë e interesave, po i jep tashmë shumë përfitime Kinës, dhe ka penguar një politikë të jashtme koherente të BE-së. Menjëherë pas vizitës së ministrit kinez, qeveria hungareze vendosi veton ndaj deklaratave të BE-së që dënojnë shtypjen e vazhdueshme të protestave pro-demokracisë në Hong Kong.

Ndërkaq, Budapesti kërcënoi se do të bllokonte sanksionet e BE-së të vendosura ndaj kompanive dhe individëve të përfshirë në abuzimet e të drejtave të njeriut kundër ujgurëve në provincën e Xinxiang, teksa Ministrin i Jashtëm hungarez i etiketoi publikisht si të “pakuptimta” sanksione të tilla.

Tani, ingranazhet e ngadalta të vendimmarrjes kolektive të Evropës, rrezikojnë ta shkatërrojnë kapacitetin e saj për të pasur një qasje më strategjike. Dhe ndërsa qeveritë hungareze dhe polake, përjetojnë zemërimin e Komisionit Evropian për minimin e parimeve themeltare të bllokut, ato po mbrojnë linjën e tyre përmes lidhjeve më të forta me Kinën.

Kur kërcënohen me pezullimin e fondeve të rimëkëmbjes së BE-së, për shkak të sulmeve ndaj shtetit të së drejtës, burimet alternative të kredive dhe investimeve mund të jenë një plan B për këto vende. Ndërsa qeveritë evropiane nuk kanë zgjedhur deri më tani një përballje të drejtpërdrejtë me Kinën, ato duhet të shtojnë përpjekjet për të mbrojtur interesat dhe sovranitetin e tyre.

“Instrumenti i ri kundër shantazhit” mekanizmi i shqyrtimit të investimeve, janë shembujt më të fundit të këtyre lëvizjeve. Por nëse BE e ka vërtet seriozisht në lidhje me frenimin e ndikimit të Kinës si një konkurrente sistematike, ajo duhet t’u drejtohet së pari aleatëve të saj të supozuar, që e shohin si tërheqës sistemin rival që përfaqëson Kina.

Ndarja që po shfaqet midis 4 vendeve të Vishegradit, me zgjedhësit në Republikën Çeke dhe Sllovaki që votuan kohët e fundit pro udhëheqësve autoritarë, ofron hapësirë për një angazhim më të fortë në këtë drejtim.  Për më tepër, BE-ja duhet ta bëjë të qartë se luajtja me çështjet e sundimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe demokracinë brenda unionit, ka një çmim të lartë.

Dhe bashkë me presidencën franceze të Këshillit të BE-së, qeveria e re gjermane duhet të sigurojë një mbështetje të fortë politike për përpjekjet e Komisionit Evropian për të garantuar sundimin e ligjit tek vendet anëtare.

“Farat” e kësaj mos-koherence u mbollën kur BE-ja dështoi që të frenonte me forcë ardhjen në pushtet të qeverive autoritare jo-liberale në mesin e saj, duke preferuar diplomacinë dhe konsensusin me çdo kusht. Dhe tani blloku e ka shumë të vështirë të përballojë sfidën e njëkohshme të liderëve autoritarët si brenda po ashtu edhe jashtë vendit.

Konkurrenca sistematike ndaj kapitalizmit shtetëror autoritar të Kinës, nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen e demokracisë, por me shumë më tepër se sa kaq. Dhe zhytja e vendeve si Hungaria dhe Polonia në regjime jo-liberale, pengon jo vetëm një politikë më të prirur ndaj Kinës, por e minon gjithashtu besueshmërinë e BE-së si një mbrojtëse e shtetit të së drejtës. 

Përktheu: abcnews.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *