Ballkani Perëndimor është me rëndësi strategjike për Gjermaninë, ka deklaruar Kancelari gjerman Olaf Scholz.

Pas takimit me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kancelari gjerman tha se integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian është një nga detyrat më të rëndësishme që e presin Evropën.

“Agresioni vrastar dhe i pakuptimtë i Rusisë kundër Ukrainës na bën të qartë dhe në mënyrë të dhimbshme, se arritjet europiane të dekadave të fundit nuk janë më diçka e vetëkuptueshme”, ka deklaruar Scholz, transmeton VOA.

Kancelari gjerman bëri të ditur se ai synon të rigjallërojë dhe Procesin e Berlinit, një nismë e pararendëses së tij Angela Merkel, që synonte të nxiste bashkëpunimin rajonal si një mjet për përshpejtimin dhe të vetë integrimit të rajonit në BE.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama u shpreh i inkurajuar nga gatishmëria e Gjermanisë “për të shtyrë me më shumë vendosmëri përpara procesin e integrimit Europian të Ballkanit Perëndimor, e natyrisht duke filluar nga përmbushja e një faze të procesit për sa i takon Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që shpresojmë të ndodhë në Këshillin e ardhshëm të muajit qershor”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *