Përmbytjet pas reshjeve të shiut në Greqi kanë shkaktuar dëme të mëdha në ishullin Evia i cili gjatë muajve të verës ishte përballur me zjarre të mëdha.
Sipas raportimeve nga mediat greke, katër persona kanë mbetur të ngujuar në Agia Anna, derisa 100 të tjerë janë shpëtuar nga përmbytjet që nisën të shtunën dhe që përmbytën mbi 200 shtëpi.
Kryebashkiaku Giorgos Tsapourniotis tha se situata është dramatike dhe e cilësoi atë si “katastrofë biblike”.
Larisa në Greqinë qendrore gjithashtu u prek nga përmbytjet. Nuk janë regjistruar viktima, por dhjetëra banorë duhej të evakuoheshin nga shtëpitë e përmbytura.
Stuhitë kanë goditur Greqinë veriore dhe qendrore që nga e enjtja, duke sjellë reshje të dendura shiu. E sipas parashikimeve më të dendura ishin ditën e djeshme e të tilla priten edhe gjatë të hënës.