Përvoja e vitit të shkuar e vetë Kurtit me të dërguarin e presidentit Trump, Grenell, duhet t’i ketë dhënë atij mësimet e duhura, ashtu sikurse duhet t’i ketë marrë edhe prej shkarkimit të zëvendësit të tij n’atë kohë, për një mendim të shprehur në kundërshtim me opinionin e atij vetë

Nga Eugjen Merlika
www.liberale.al

“Në krizat politike njeriu i ndershëm është i çoroditur, jo aq për  të kryer detyrën e tij, se sa për të kuptuar se cila është ajo.”
– BONALD (1754 – 1840), shkrimtar politik francez

Më 14 shkurt 2021 u zhvilluan në Kosovë zgjedhjet e parakohshme kuvendore. Fushata zgjedhore u zhvillua në një periudhë të shkurtër prej 12 ditësh, e kushtëzuar nga pandemia, që nuk lejonte grumbullime të mëdha njerëzish. Votimet u kryen brenda një dite e përfundimet u shpallën të nesërmen. Nuk pati ankimime për parregullsi e humbësit pranuan përfundimin duke uruar fituesit.

I gjithë ky kuadër meriton një përgëzim të sinqertë, sepse dëshmon për një pjekuri të institucioneve, por edhe të qytetarëve të Kosovës. Është një dëshmi e qartë e një niveli të zbatimit dhe respektimit të parimeve të jetës demokratike në një shoqëri të formuar. Aq më shumë bëhet i detyrueshëm ky përgëzim nga ana e qytetarëve shqiptarë të cilët, prej një të katërt qindvjeti, janë të pranishëm në republikën e tyre në veprimtari zgjedhore, gjithmonë të vëna në diskutim si pasojë e parregullsive, të panjohura nga humbësit, që kurdoherë padisin fituesit për vjedhje votash e përfundime që zgjasin me ditë të tëra të bëhen të njohura. Kultura institucionale dhe qytetare e banorëve të Kosovës, e cila shpreh ndryshimin nga praktikat zgjedhore të Shqipërisë, i kushtohet jo vetëm mirërritjes qytetare të këtyre të fundit por edhe një nderimi për dukurinë themelore të një demokracie, që është ngulitur atje edhe nga organizmat ndërkombëtare, të cilët në 23 vitet e fundit kanë bashkëshoqëruar zhvillimin e Kosovës në rrugën demokratike.

Një tjetër risi e atyre votimeve të ditës së Shën Valentinit qe përfundimi i qartë të cilin zgjedhësit e Kosovës, në pothuaj se gjysmën e tyre, i dhanë votat një partie, Vetëvendosjes. Edhe në këtë përfundim zgjedhor, mendoj se arsyet në bazë të tij janë dy: e para, dëshira e pamohueshme e popullsisë, sidomos e pjesës së saj më të re në moshë, për një ndryshim cilësor që duhet të japë shpresë për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilët përballohet Vendi i tyre, dhe e dyta zhgënjimi i pjesës më të madhe të zgjedhësve nga sistemi i ngritur në këmbë nga klasa politike e ish UÇK-së e cila, në përfytyresën e përgjithëshme njëjtësohet me korrupsionin e të tjera mangësi të jetës politike.

Kosova e brezit të saj të pasluftës ka vendosur t’i besojë fatet e saj një partie që kishte dalë në skenën politike shumë vite më parë, si një kundërpërgjigje e një pjese të shoqërisë, kryesisht e të rinjve, ndaj mbizotërimit të organizmave ndërkombëtare, përfaqësuese t’atyre Vendeve e atyre organeve shumëpalëshe  të demokracive perëndimore që liruan Kosovën nga terrori serb, nëpërmjet ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në pranverën e verën 1999, duke i hapur rrugën pavarësisë së saj të mëtejshme. Gjatë gjithë këtyre viteve Vetëvendosja, “partia e majtë nacionaliste”, siç e kanë përkufizuar këto ditë shumë media evropiane, ka bërë rrugën e saj që përkon me atë të kryetarit të saj, z. Albin Kurtit, një gazetar që i është kushtuar politikës.

Nga “foshnjëria politike” e viteve të para, kur fuste bombat tymëse në Kuvendin e Prishtinës nëpërmjet femrave deputete, sot ajo ka mbërritur në një pjekuri, të cilën pritet ta verë në zbatim në drejtimin e Shtetit, tani që populli i ka besuar në mënyrë bindëse detyrën e qeverisjes. A do të jetë në gjendje dyshja politike Kurti – Osmani  t’i kthejnë shpresën e besimin qytetarëve të zhgënjyer të Kosovës, duke bërë të mundur “vetëvendosjen” e pritshmërisë së tyre për një shoqëri të pastër moralisht e të begatshme në nivelin e jetesës, në gjirin e një kontinenti të cilin shumica e tyre duan ta kenë si shtëpinë e tyre? Pyetja i ngjet një mali të lartë e përgjigja bën t’i dridhen duart edhe një burri shteti me përvojë gjysëm shekullore, sepse të vështirësive të skajshme janë problemet me të cilët sot ballafaqohet Kosova e shkëputur nga dheu amë 108 vite më parë.

Por kryeministri i mundshëm është ndjellamirë e pohon se “Dëshirojmë ta nxjerrim Kosovën nga kriza e shumë viteve dhe ta vendosim në binarët e progresit”. Arritja e këtij  synimi duhet të jetë dëshira e të gjithë shqiptarëve kudo në botë e urimi i njëzëshëm i tyre duhet të shoqërojë, në ditët e ardhshme, nisjen e asaj sipërmarrjeje. Sot, sikurse pothuaj gjithë Vendet e tjera të botës, Kosova përballet me krizën shumë-planëshme të pandemisë që ka vënë në vështirësi shëndetin e popullsisë dhe financat e shteteve. Synimi i Qeverisë së re për të vaksinuar rreth 60 % të popullsisë shkon në drejtimin e duhur e kërkon një organizim të mirë të punës, si përsa i përket kontratave për të siguruar vaksinat ashtu edhe kushteve praktike të mbarëvajtjes së procesit vetë.

Është pohenik mendimi për të bashkëpunuar me vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, por bashkëpunimi duhet të jetë i frytshëm edhe me autoritetet kontinentale, që duhet të venë në planet e tyre vaksinimin e Vendeve të Ballkanit perëndimor, edhe se ata nuk janë ende anëtarë të mirëfilltë zyrtarë të Bashkësisë. Është detyrë morale e BE, madje edhe nevojë e tij që të marrë përgjegjësinë shëndetësore të Vendeve të kontinentit, ndërmjet tyre edhe të Kosovës në këtë gjendje pandemie. Nëse nuk e ka bërë sa e si duhet deri tani, për vështirësitë e tij të furnizimit e të organizimit, mbetet një domosdoshmëri  për t’ardhmen e afërt. Qëndrimi i ditëve të fundit i presidentit francez, mbi furnizimin me vaksina të Vendeve të varfra, duke caktuar një sasi prej 5% të rezervave të tyre atyre, sigurisht do të mbajë parasysh edhe nevojat e Ballkanit. Këtij qëndrimi i bëri jehonë edhe mbledhja e nivelit të lartë të G7 që vendosi të verë në dispozicion të vaksinave për Vendet e varfra 7,5 miliard dollarë. Kryetarët e shteteve e qeverive të shtatë Vendeve më të industrializuara të botës u shprehën njëzëri mbi nevojën për të paraqitur një front të bashkuar “e për të  vepruar në mënyrë të tillë që vaksinat t’u shkojnë të gjithë atyre që kanë nevojë kudo qofshin në botë”.

Marrëdhëniet e Kosovës me botën, në larminë e tyre të detyrueshme, janë një tjetër vështrim i politikës kosovare në përmasat e saj normale. “Nuk mund t’i zëvendësojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me asnjë partner ose aleat tjetër…” është shprehur ditët e fundit kryetari i Vetëvendosjes, z. Albin Kurti, që, me gjasë, mund të jetë kryeministri i ri i Kosovës. “Gjuha kocka s’ka por kocka thyen” thotë një fjalë e urtë shqiptare. Është e vërtetë që Kosova ka marrëdhënie të mira me SHBA, por ajo mbetet një Vend evropian e me gjithë vështirësitë që has tani me mos njohjen e saj nga pesë Vende të BE, ajo duhet të synojë për sot e për t’ardhmen të jetë pjesë e tij. Duke i cilësuar si dy partnerë të kategorive të ndryshme SHBA dhe BE, të cilët punojnë me të njëjtin synim për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, nuk i shërbehet sa e si duhet interesave të Kosovës dhe as miqësive me të tjerët. Marrëdhëniet Kosovë – Serbi përbëjnë një problem për diplomacitë evropiane dhe amerikane, mbasi një normalizim  mes tyre, lejon një gjendje më pak kundërshtuese në rajonin e Ballkanit, i cili ka qene gjithmonë “fuçia e barutit” e Evropës.

Nëse Kosova, siç u tha më sipër, ka më shumë vështirësi me qëndrimet filo-serbe të një pjese t’Evropës, mund të mbajë rezervat e saj në drejtim të tyre, por nuk është mirë të bëjë haptas shkallëzimin e parapëlqimeve të saj. Diplomacia ka ligjet e saj dhe i bën vetë shkallëzimet si mbas rëndësisë e rolit të secilit shtet. Përvoja e vitit të shkuar e vetë Kurtit me të dërguarin e presidentit Trump, Grenell, duhet t’i ketë dhënë atij mësimet e duhura, ashtu sikurse duhet t’i ketë marrë edhe prej shkarkimit të zëvendësit të tij n’atë kohë, për një mendim të shprehur në kundërshtim me opinionin e atij vetë. Kosova gjindet në mes të një vorbulle situatash pa dashjen e vet, prandaj duhet të jetë shumë e kujdeseshe në deklarata lidhur me marrëdhëniet me të tjerët, qofshin këta kundërshtarë si Serbia apo miq si SHBA dhe BE. Nëse vitin që shkoi pati ndonjë mospërputhje mes politikave evropiane e amerikane në lidhje me Ballkanin, këtë vit duken se ujërat janë qetësuar, me gjasë, qëndrimet janë afruar shumë. Mendoj se kjo gjendje shkon në dobi të çështjes së Kosovës.

Politika nuk është një shkencë, si e përfytyrojnë mjaft nga zotërinjtë profesorë, por një art” Kështu shprehej “kancelari i hekurt”, Otto von Bismark, në Raihshtagun gjerman më 15 mars 1884. Nëse është kështu atë art duhet t’a venë në zbatim më shumë të vegjlit se të mëdhenjtë. Kosova ka të drejtën nga ana e saj, por asaj i kërkohet nga BE dhe SHBA të orvatet të gjejë një marrëveshje me Serbinë, e cila ka pohuar disa herë se nuk do ta njohë pavarësinë e saj. Këtu duhet të punojë diplomacia për të bindur të tjerët, në këtë rast aktorët e jashtëm të interesuar, se reciprociteti është rruga më e mirë për të arritur përfundimin e dëshiruar. Por për të bindur duhet biseduar në takime dypalëshe e shumëpalëshe duke shtjelluar argumentet. Por z. Albin Kurti ditët e fundit deklaroi se “Dialogu me Serbinë nuk është prioritet”.

Mund të jetë ashtu për të dhe është e kuptueshme, kur drejtuesit serbe e përjashtojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, por ajo shprehje tingëllon si beleg për kancelaritë e SHBA dhe BE që ngulin këmbë për ta pasur. Në këtë vështrim ajo dalje përbën një veprim të pamatur, të panevojshëm , madje shumë të dëmshëm. Politika në këtë rast nuk ka as paraqitjen e largët të artit që përftonte kancelari prusian, ndërsa me një qëndrim të mençur në kërkesat e me përunjësinë e duhur mund të arrihet një rezultat i dëshiruar.

Qeveria e ardhshme e Kosovës nuk duhet të lerë asnjë rast për t’i dhënë shkas kundërshtarëve të saj të çdo lloji t’i mëshojnë tezës se shteti i saj nuk e do marrëveshjen, se gjen çdo mënyrë për t’a hedhur poshtë atë, e sa të tjera profka për të cilat diplomacia serbe është e një shkalle sipërore për të tjetërsuar të vërtetën e për ta hedhur atë në tregun e politikës ndërkombëtare, duke fituar pikë të dobishme për të. Pjesëmarrja n’ata bisedime, të cilët porositen e përkrahen fuqimisht nga BE dhe SHBA është një kusht i domosdoshëm për t ‘arritur atë marrëveshje të dobishme për Kosovën, që do t’i bënte të mundur asaj sendërtimin e të gjithë projekteve të zhvillimit, në një botë që ende luhatet, në një pjesë të mirë të saj, t’i njohë asaj të drejtat e saj të pakundërshtueshme. Në lidhje me ata bisedime është për t’u përshëndetur e përkrahur qëndrimi i fundit i presidentit të SHBA, që flet për njohjen e ndërsjellët të dy Vendeve.

N’ata bisedime, përsa i përket opinionit publik ndërkombëtar, që është një faktor tejet i rëndësishëm, deklaratat e fundit të presidentit serb, Vuçiç e kryetarit të parlamentit Daçiç, mbi vendosmërinë e tyre për të mos njohur pavarësinë e Kosovës, janë armët më të fuqishme që ata, dashje pa dashje i japin palës kosovare. Ata dëshmojnë se Serbia nuk ka asnjë farë sinqeriteti në marrëdhëniet e saj me Kosovën, se për të kjo e fundit mbetet “stara Serbia” e përrallave të tyre, se ata duan të kthejnë mbrapa historinë e njëzet viteve të fundit, të shkruar nga vullneti i botës perëndimore për të ndëshkuar gjenocidin e krimin shtetëror serb në fund shekullin e shkuar, se ata nuk e duan paqen në Ballkan, e cila kalon nëpërmjet marrëveshjes mes serbeve e shqiptarëve e bindjes së tyre për të respektuar të drejtat e dy kombeve e për të hapur një epokë të re në historinë e Ballkanit.

Kërkimi i këtij synimi është domosdoshmëri historike për të dy Vendet e prandaj edhe partnerët perëndimorë të shqiptarëve mundohen të ndikojnë me politikën e tyre në arritjen e qëllimit. Por kjo bie ndesh me një tezë të përsëritur ditët e fundit nga kryetari i Vetëvendosjes: “Pa një zhvillim të brendshëm ekonomik të Kosovës nuk do të ketë as marrëveshje me Serbinë”. Është një tezë që nuk mund të kundërshtohet si koncept, por që në gjendjen e sotme bie ndesh me domosdoshmërinë e shpejtimit të procesit, mbasi e shtyn atë në kalendar greke, sepse kohët e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik janë vështirësisht të parashikueshme. Madje ato mbeten si funksion i ndryshueshëm i vetë normalizimit të gjendjes së Kosovës.

Mendoj se të gjithë përsiatjet që mund të ftillohen rreth çështjes serbo – shqiptare vërtiten rreth domosdoshmërisë së bisedimeve të cilët kanë një mbështetje të fuqishme në drejtësinë e argumenteve shqiptare, që duhen mbrojtur me aftësi diplomatike e besimin se koha punon për ne. Ata mund të jenë në rrezik dështimi, por jo për mungesën tonë, por për hipokrizinë mashtruese të qëndrimit serb. Ne do ta fitojmë këtë betejë me vërtetësinë dhe efektshmërinë e argumenteve tona, deri sa ata të bindin fuqitë perëndimore se zgjidhja e vetme e problemit është në njohjen e së drejtës së Kosovës për të patur shtetin e saj të pavarur, ashtu sikurse u sanksionua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës vite më parë. Atëherë Perëndimi në tërësinë mendimit të sinkronizuar amerikano – evropian do të trysnojë Beogradin për të pranuar atë përfundim.

Shpresojmë se Qeveria e re e Prishtinës do të zotohet në këtë detyrë të rëndësishme, duke vazhduar punën e qeverive të mëparshme, duke korrigjuar ndonjë qëndrim jo fort të drejtë, por jo duke filluar çdo gjë nga e para. Proceset e rëndësishëm politikë si ky, nuk kanë nevojë për revolucione, por për qëndrime të drejtpeshuara, largpamëse e të mençura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *