Ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë e Hercegovinën, Wolfgang Petritsch, pret një “maratonë të vërtetë” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë pas formimit të qeverisë së re në Prishtinë.

“Kur Kosova, pas zgjedhjeve, të formojë ekipin negociator, duhet të vazhdohet hap pas hapi. Kjo do të jetë rrugë e gjatë, një maratonë e vërtetë dhe në atë dialog duhet të përafrohen pozicionet e Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është rruga e vetme pragmatike përpara”, ka thënë Petritsch në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka folur për rëndësinë e letrës së Presidentit amerikan Joe Biden dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçqiq, ku theksohet njohja e ndërsjellë në fund të dialogut. 

Në këtë intervistë, ndër të tjera, Petritsch tha se çështja e njohjes shihet ndryshe nga BE-ja për shkak të disa vendeve që nuk kanë njohur Kosovën, derisa ka paralajmëruar se procesi i dialogut mund të zgjasë shumë.

“Këto kufizime, me të cilat përballet BE-ja, duhet t’i marrë parasysh ndërmjetësuesi i saj, Miroslav Lajçak, që do të thotë se kjo çështje do të zgjidhet në përfundim të të gjithë procesit. Nëse kemi parasysh shembujt e negociatave të tilla komplekse nga e kaluara, kjo zgjatë goxha shumë. Për shembull, negociatat e dikurshme ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore janë zhvilluar në disa faza, derisa nuk është realizuar një lloj normalizimi. Përderisa të gjitha anëtaret e BE-së të mos e njohin Kosovën, nuk është ide e mirë që të ushtrohet presion shumë i madh për atë se si do të duket zgjidhja përfundimtare në fund të gjithë procesit”, ka thënë Petritsch.

Lexo më shumë këtu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *