Policia e Kosovës ka shkatërruar dy laboratorë të drogës, një në veri të Kosovës dhe një në Ferizaj, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ai tha se në Izvor, në veri të Kosovës, që gjendet pranë kufirit me Serbinë, zyrtarët policorë dhe ata të doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por “aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material”.

“Në afërsi të kufirit me Serbinë, në vendin Izvor, në veri të Kosovës, policia zbuloi laboratorin e kultivimit të marihuanës me mbi 10,000 fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg”, tha Sveçla përmes një njoftimi në Facebook.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Branisllav Radoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se ka pasur të shtëna në një fshat të Zveçanit, teksa policia dhe dogana kanë qenë duke kryer një bastisje.

Sipas tij, askush nuk është lënduar apo arrestuar.

Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka “përshëndetur aksionin e policisë në veri”.

“Ky veprim tregoi se policët e rajonit veri kanë aftësi dhe kapacitet për ta luftuar krimin”, thanë nga Lista Serbe, duke dënuar veprimet kundërligjore të individëve.

Ndërkaq, gjatë një aksioni në Ferizaj, dhjetë persona janë arrestuar dhe janë konfiskuar mbi 68 kilogramë drogë, pasi policia shkatërroi një laborator të drogës sintetike, tha Sveçla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *