Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se zgjedhjet lokale të 17 tetorit nuk do të shtyhen.
Këtë qëndrim Osmani e bëri të ditur pas takimit me përfaqësues të partive politike, takim i mbajtur pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për shtyrje të zgjedhjeve për shkak të Covid-19.
“Kushtetuta është e heshtur për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve dhe mundësia e vetme, sipas standardeve ndërkombëtare, është që të arrihet një pajtim midis partive në pushtet dhe atyre në opozitë për një gjë të tillë. Ky konsensus për momentin mungon. Data e zgjedhjeve mbetet ashtu siç ka qenë”, deklaroi Osmani, transmeton REL.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se është në favor të shtyrjes së zgjedhjeve, derisa përfaqësuesit e partive opozitare u shprehën kundër shtyrjes së zgjedhjeve.
“Nuk kishte pajtueshmëri për shtyrje të zgjedhjeve dhe kjo çështje është një e mirë për demokracinë”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.