Nga Anja Vladisavljevic

Nga mesi i janarit, shumë pak pasi humbi mundësinë për një mandat të dytë, presidentja në largim e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, i tha gazetës britanike “The Guardian” se korrupsioni në Kroaci “nuk përfshin vetëm politikën, por ai në të vërtetë, nis që në bankat e shkollës”. “Ata që kopjojnë në provime shihen si heronj”, u citua të thoshte Grabar-Kitaroviç, duke insistuar se korrupsioni fillon që tek fëmijët.

Kjo ishte një vërejtje që i bëri disa vetulla të ngriheshin në Kroaci, ku ekspertët e transparencës argumentojnë se shoqëria e merr “frymëzimin” nga një elitë politike e cila për vite me radhë, është zhytur nga një skandal në tjetrin.

Disa paralajmërojnë se korrupsioni vetëm sa është përkeqësuar pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian në 2013-tën, pas vitesh të tëra vëzhgimi të kujdesshëm të Brukselit lidhur me të dhënat e saj mbi korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes. Në muajin janar, Kroacia shënoi nivelin më të keq të pesë viteve (47 pikë nga 100) në indeksin vjetor të korrupsionit nga “Transparency International”.

“Që prej anëtarësimit në bllokun europian, Kroacia ka pësuar regres në luftën kundër korrupsionit,” thotë Oriana Ivkovic Novokmet, drejtoreshë ekzekutive  e GONG, një grup i shoqërisë civile që promovon qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. “Tani nuk ka më presion të jashtëm për të inkurajuar ndryshimin; Komisioni Europian për shembull, nuk i harton më raportet kundër korrupsionit që bënte dikur”, shton ajo.

Përgjegjësia për këtë betejë, siç kujton Ivkovic Novokmet, tani rëndon mbi institucionet e kontrolluara nga Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, në pushtet që prej janarit 2016. “Ato pak institucione që kanë mbetur të pavarura janë minuar në mënyrë sistematike nga qeveria”, theksoi ajo për BIRN.

Humbja e Grabar-Kitaroviçit të mbështetur nga HDZ përballë social demokratit Zoran Milanoviç në balotazhin e muajit të kaluar për presidencën, bëri që të binin këmbanat e alarmit për qeverinë e kryeministrit Andrej Plenkovic, të drejtuar nga HDZ.

Në fund të dhjetorit, Plenkoviç u detyrua të mbronte të dhënat e HDZ për korrupsionin, pikërisht në ditën kur ish-udhëheqësi i partisë, njëkohësisht ish kryeministër i vendit, Ivo Sanader u shpall fajtor për pranimin e një ryshfeti prej 10 milion eurosh për t’i dhënë kompanisë hungareze të naftës dhe gazit MOL, aksione që I lejonin kontrollin e firmës kroate të energjisë INA.

Sanader u arrestua më së pari në fund të vitit 2010, menjëherë pas largimit nga detyra si kryeministër, në atë që u pa asokohe në BE si sinjal i seriozitetit të Kroacisë për çrrënjosjen e këtij fenomeni, teksa aspironte bashkimin me bllokun. Plenkoviç tha se angazhimi i qeverisë së tij për luftën kundër korrupsionit “nuk mund të ishte më I qartë se kaq”.

Dënimi i Sanader, argumentoi ai, ishte “dëshmi e pavarësisë së gjyqësorit kroat nga ndikimi i politikës”. Ndërkohë, Sanaderi ende mund ta apelojë aktgjykimin. Sipas Ivkovic Novokmet, në çështjen kundër ish kreut të ekzekutivit, ka vetëm një vendim të formës së prerë për akuzat më të vogla të çështjes së tij gjyqësore të korrupsionit.

“Gjykata Kushtetuese dhe ajo Supreme kanë luajtur një rol aktiv në minimin e aktakuzave kryesore, “ nënvizon Ivkovic Novokmet. “Duke pasur parasysh se gjyqet kanë vazhduar për dekada, është e qartë se nuk ka drejtësi të vërtetë”, shton aktivistja.

Pas largimit të Grabar Kitarovicit, qeveria e udhëhequr nga HDZ tani përballet me një skandal të pasurive të patundshme, për të cilin vëzhguesit thonë se “bie era korrupsion”. Në 28 janar, Plenkoviç pushoi nga puna Ministrin e Shëndetësisë, Milan Kujundzic, pas një serie raportimesh në media ku pretendohej se ai kishte gënjyer mbi vlerën e pasurisë së tij në deklarimin si zyrtar publik.

Dy ministra dhanë dorëheqjen verën e kaluar për arsye të ngjashme dhe dy të tjerët u zëvendësuan në korrik gjatë një riorganizimi të kabinetit. Avokatja Dalija Oreskoviç, e cila e ka luftuar për vite të tëra korrupsionin në sektorin publik si presidente e Komisionit për zgjidhjen e konflikteve të interesit, është skeptike e tha për BIRN se këtu, zor të jetë fjala për gabime në plotësimin e formularëve.

Në Kroaci, niveli i verifikimit: “është reduktuar në kontrollin e ndershmërisë së një individi në deklarimin e pasurisë së tij, ndërsa nuk verifikohet ligjshmëria me të cilën është marrë prona”, tha veç të tjerash ajo. Oreskovic theksoi se një pjesë e atyre që humbën vendet e punës, janë rikthyer në parlament.

Në 12 shkurt, USKOK (organizmi vendas kundër korrupsionit) deklaroi po hetonte disa nga ish-ministrat e përfshirë në skandal. “Provimi po vazhdon”,  thanë drejtues të këtij organizmi para mediave, por pa ofruar ndonjë informacion të mëtejshëm.

©Copyright Gazeta SHQIP
www.gazeta-shqip.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *