Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shqyrtuar propozimin francez për kornizën negociuese në lidhje me zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, por nuk ka marrë një vendim në lidhje me të.

Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.

Presidenti francez Emanuel Macron i ka dërguar një mesazh Maqedonisë së Veriut për ta pranuar propozimin francez.

Macron ka shkruar se RMV-ja është në një moment kyç të historisë së saj kur 17 vite pas statusit kandidat, po hapet mundësia që të fillojnë bisedimet me BE-në.

Euronews Albania raporton se propozimi i është deleguar të enjten Kuvendit maqedonas, por ende nuk është marrë dokumenti zyrtar.

Pas marrjes së dokumentit, do të thirret një seancë sipas procedurave parlamentare ku do të marrin pjesë të gjithë deputetët. Pritet që kjo seancë të thirret ditën e nesërme.

Në dokumentin e njohur si ‘propozim francez’, të cilin e ka publikuar Qeveria e Maqedonisë së Veriut në faqrn e saj zyrtare, thuhet se “lidhur me përkthimet e legjislacionit të Bashkimit Evropian, BE-ja nënvizon deklaratat e përshtatshme të njëanshme të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për sa i përket gjuhës maqedonase”.

Në këtë dokument gjithashtu theksohet se në procesin e zgjerimit të BE-së, thelbësor mbetet bashkëpunimi rajonal dhe raportet ndërfqinjësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *