Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), me mbështetjen e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), ka publikuar sot raportin hulumtues në lidhje me qasjet e Qeverisë së Kosovës për të mbështetur riintegrimin e të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak.
Gjetjet e raportit tregojnë se Kosova është ndër vendet e rralla që ka qenë e gatshme të riatdhesojë qytetarët e saj nga Siria dhe Iraku.
Siç transmeton Portali.info, raporti tregon gjithashtu se megjithëse qeveria ka krijuar mekanizmat e nevojshëm institucional për të koordinuar dhe menaxhuar riintegrimin e të kthyerve, ekziston një mungesë e politikës koherente dhe ka sfida të rëndësishme në lidhje me koordinimin, si dhe përfshirjen e shoqërisë civile në proces.
Skënder Perteshi, njëri nga autorët e raportit, tha se në lidhje me mbështetjen dhe riintegrimin e të të kthyerve, gjetjet e raportit përfshijnë dy qasje të përgjithshme.
“Ka masa ndëshkuese-restauruese dhe mbështetje të riintegrimit shoqëror. Shërbimi Korrektues i Kosovës ka krijuar programe të veçanta për të mbështetur rehabilitimin dhe deradikalizimin e atyre të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak që janë në burg”, tha ai.
Këto përfshijnë kurse të zhvillimit të aftësive për të rritur shanset e tyre të punësimit pas lirimit, trajnime të tjera të ndryshme, si dhe ligjërata fetare nga imamët e siguruar nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Mirëpo, sipas Perteshit sa i përket suksesit të përpjekjeve për rehabilitim dhe deradikalizim në shërbimin korrektues, gjetjet e raportit nuk janë shumë pozitive.
Sipas vetë zyrtarëve të Shërbimit Korrektues, edhe pse ka përparim, një pjesë e rëndësishme e të kthyerve mbeten besnikë ndaj të ashtuquajturës ‘Shtet Islamik’ dhe ideologjive ekstremiste.