Pjesa më e madhe e qytetarëve në Kosovë janë shprehur pro arritjes së një marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë.
Një hulumtim nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), me bazë 1,107 të anketuar, ka treguar se pjesa më e madhe e përkrahin një marrëveshje që mund të arrihet.
Nga të anketuarit, prej tyre 90 për qind shqiptarë, 8 për qind serbë dhe 2 për qind të komuniteteve të tjera, ka rezultuar se 92 për qind e shqiptarëve dhe 64 për qind e serbëve thonë se duhet të bëhet çdo përpjekje për arritjen e marrëveshjes finale, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ndërkohë, 66 për qind e shqiptarëve dhe 49 për qind e serbëve e mbështesin rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Anketa e RIDEA-s është realizuar në 38 komuna të shtatë rajoneve kryesore në Kosovë: Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë – Veri dhe Jug.