Mëngjesi i ditës së premte ka sjellë tollovi para sallës “1 Tetori” në Prishtinë ku janë mbledhur shumë të moshuar që duan të vaksinohen kundër koronavirusit.
Në fotot e publikuara nga mediat është parë kolonë e gjatë e personave mbi moshën 65 vjeç që duan të futen brenda sallës për t’u vaksinuar.
Më pas, të moshuarit janë lejuar të futen dhe të qëndrojnë brenda sallës deri në momentin e vaksinimit, transmeton Koha.net.
Zyrtarë të opozitës kanë reaguar sot lidhur më tollovinë e shkaktuar në këtë qendër vaksinimi, duke drejtuar gishtin drejt Qeverisë se nuk e ka organizuar mirë vaksinimin.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje te qytetarët që “t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”.
Në njoftim është thënë se në Sallën 1 Tetori në Prishtinë do të mund të vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës.