Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” do të vijojë me qëllimet e veta edhe nëse pjesë e tij nuk do të bëhen Kosova, Bosnjë Hercegovina dhe Mali i Zi.

“Ne këtyre njerëzve do iu kthejmë barrierat meqë tre vende nuk duan të heqin barrierat për njerëzit e tyre, për subjektet që punojnë në vendet e tyre? Patjetër që jo. Ky është Ballkani i Hapur. Ballkani i Hapur nuk është konspiracion”, tha Rama të martën, transmeton Euronews.al.

Rama tha se marrëveshjet e firmosura në Tiranë u vijnë në ndihmë popujve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Sot në këto vendime që kemi marrë janë faktikisht dhjetëra e mijëra njerëz që përfitojnë drejtpërdrejtë. Vetëm nga Shqipëria janë midis 600-700 subjekte që pavarësisht nga Ballkani i Hapur, pavarësisht nga Kombet e Bashkuara apo nga NATO, shkojnë e vijnë në këto territore, eksportojnë në Serbi, eksportojnë në Maqedoninë e Veriut dhe janë shumë më tepër sesa 600-700 ato që më pas importojnë nga këto vende”, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *