Kancelarja gjermane Angela Merkel ka pranuar në Tiranë medaljen për mirënjohje publike nga Kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Danke Angela. Kënaqësi e veçantë t’ju nderoj, në emër të Shqipërisë, me Kordonin e madh me yll të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike”, ka thënë Rama.

Merkel sot po viziton Shqipërinë ku po takohet me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor si pjesë e Procesit të Berlinit.

“Doja të vija në çdo vend por ishte e pamundur. Do të duhej 3-4 ditë por situata nuk e lejonte. Edi faleminderit. Është shumë bukur këtu, është investim gjerman,” tha Merkel, transmet ABCNews.

Një ditë më parë Merkel ishte në Beograd, ku u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Kjo është vizita e saj e fundit në Ballkan, derisa pas disa ditësh dorëzon detyrën si kancelare e Gjermanisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *