Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas protestës së sotme të Sali Berishës që bashkë me mbështetësit sulmoi selinë e Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka reaguar duke i quajtur dy politikanët opozitar “dy kufoma politike”.

“Besomëni, kur i shoh këto dy kufoma politike, që luajnë kështjellash në mes të Tiranës dhe fajësojnë njëra-tjetrën se kush është shërbëtori im, më vjen t’u lëshoj demokratëve një kushtrim të megjithëzemërt,” ka shkruar Rama.

Ai ka ftuar demokratët që t’i lëjnë Bashën dhe Berishën “në fatet e parashkruara”.

“Lërini në fatet e parashkruara, humbësin kronik të selisë blu dhe personazhin pa seli të listës së zezë, të cilët kur i sheh se çfarë marrëzish bëjnë e thonë,” ka shkruar Rama.

Protesta e sotme e thirrur nga Berisha rezultoi me të lënduar e thyerje të zyrave të PD-së. Basha në një konferencë për media tha se Berisha sot e ka pasur ditën e fundit politike në Shqipëri, duke shtuar se kjo është mundësi që demokratët të shkëputen “nga trashëgimia e tij e zezë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *