Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka mbështetur qeverinë e Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.
Gjatë vizitës në Prishtinë të hënën, Rama u prit nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti të cilit i tha se është e drejtë vendosja e reciprocitetit për targat.
“E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Nuk është me Serbinë”, ka thënë Rama.
“Serbia nuk ka asnjë të drejtë t’i kthejë targat e automjeteve të përdorimit të përgjithshëm në një përditshmëri konfliktuale, ku mizën po e bën buall, a thua se qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë kur në fakt thjesht po bën zbatimin e një marrëveshjeje reciprokisht të dakordësuar”, u shpreh Rama, transmeton VOA.
Ndërsa, Kryeministri Kurti tha se Kosova është e hapur për bisedime të cilat janë refuzuar nga Beogradi, ndërsa ritheksoi se masa e reciprocitetit nuk është e drejtuar kundër serbëve të Kosovës.
Kurti tha se njësia e posaçme e policisë nuk ndodhet në veri për të demonstruar forcë, por për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe policët kufitarë.