Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se iniciativa Open Ballkan nuk bie në kontradiktë me procesin e Berlinit.
Pas takimit me Kancelaren gjermane Angela Merkel në Tiranë, bashkë me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Rama përsëri foli për mospërfshirjen e Kosovës në këtë iniciativë.
“Ne duhet të ecim më shpejt, një nga pengesat ka qenë se Serbia nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse kishte paragjykime se nëse ne fusim lëvizjen, atëherë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte garantuar. Dhe faktikisht sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri e bën teori konspiracioni për Open Balkan. Kaq e thjeshtë është”, tha Rama, transmeton Euronews Albania.
Në anën tjetër, në paraqitjen e tij para mediave pas takimit, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ritheksoi qëndrimin refuzues për iniciativën ku bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
“Dallimi mes Procesit të Berlinit dhe Open Balkan është se në të dytën s’e kemi BE-në”, është shprehur Kurti.
“Ne jemi për marrëdhënie të mira bilaterale. Jo të shprehim mirëkuptim ndaj Serbisë. Çfarëdo mirëkuptimi për mosnjohjen e Kosovës i kushton Kosovës”, ka thënë Kurti.