Misioni i OSBE/ODIHR ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, duke theksuar nevojën e hetimeve të deklarimeve për keqpërdorime.

Në raport vlerësohet roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërsa theksohet se dita e votimit ka qenë transparente dhe e patrazuar.

“Institucionet ligj zbatuese duhet të hetojnë të gjitha deklarimet për shkeljet zgjedhore, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, në një mënyrë të plotë, në kohë dhe transparente”, thekson raporti, transmeton Euronews Albania.

Në përfundimet e raportit jepen 23 rekomandime për afrimin e zgjedhjeve në Shqipërisë më pranë standardeve ndërkombëtare.

Një prej sugjerimeve bën fjalë për adresimin e rekomandimeve të ODIHR dhe Komisionit të Venecias në ligjin zgjedhor.

OSBE/ODIHR rekomandon intensifikimin e përpjekjeve për identifikimin, hetimin dhe dënimin e rasteve të blerjes së votës dhe inkurajimin e qytetarëve për të denoncuar rastet e blerjes dhe presionit.

Gjithashtu thuhet se duhet hetuar keqpërdorimi i të dhënave personale dhe nëse ka pasur ndikim në procesin zgjedhor publikimi i tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *