Zgjatje të orarit të votimin deri në ora 21:00 është një nga rekomandimet që organizata Demokraci Plus ka bërë përmes një raporti të publikuar sot.

Në njoftimin e lëshuar në Facebook, organizata ka listuar disa rekomandime për institucionet përgjegjëse në organizimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke theksuar kujdesin që duhet bërë në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në këtë kontekst, për një organizim sa më të mirë të procesit zgjedhor, Demokraci Plus liston këto rekomandime për KQZ:

• Reduktimin e numrit të komisionerëve dhe vëzhgueseve, për të shmangur grumbullimin e shumë personave brenda hapësirave të mbyllura;

• Zgjatjen e orarit të votimit nga ora 07:00 – 21:00, për të shpërndarë votuesit në një interval më të gjatë kohor;

• Të bëhet thirrje që personat mbi moshën 65 vjeçare të votojnë në orët e paradites, kurse të tjerët të cilët nuk e kanë të domosdoshme votimin gjatë paradites, të votojnë pasdite. Në këtë mënyrë zvogëlohet mundësia e përhapjes së virusit tek personat më të vjetër në moshë;

• Të shtohet numri i qendrave të votimit dhe vendvotimeve me qëllim të reduktimit të votuesve të cilët frekuentojnë këto qendra dhe atyre të cilët presin në radhë për të votuar;

• Të rregullohet mënyra e votimit për personat e vetë-izoluar, duke i angazhuar ekipet mobile të KQZ-së me përkrahje nga stafi i Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që t’u ofrohet mundësia e barabartë e votimit me personat e tjerë;

• Vendosja e dezinfektueseve në hyrje dhe dalje të çdo vendvotimi;

• Vendosja e mburojave plastike në mes të votuesve dhe komisionerëve;

• Dezinfektimi i objekteve çdo tri orë, si: dorezat e derës së vendvotimit, kabina e votimit, kutia e fletëvotimeve, vulat, spërkatësit për identifikim, tryezat etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *