Rusia ka arritur të mbledh rreth 70 për qind të forcave të saj ushtarake të nevojshme për të nisur pushtimin e Ukrainës, kanë thënë zyrtarë amerikanë të cituar nga mediat amerikane.
Sipas raportimeve, këta zyrtarë që mbesin anonim për mediat kanë thënë se nuk besojnë që Presidenti rus Vladimir Putin të ketë ndarë mendjen ende për një pushtim të Ukrainës, por kanë paralajmëruar se rreth 50,000 civilë dhe 25,000 ushtarë ukrainas do të vdisnin nëse Rusia vendos të filloj luftën.
Ndërkohë, Jake Sullivan, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, deklaroi të dielën se brenda ditëve mund të ketë veprime ushtarake në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Gjatë ditëve në vazhdim, Rusia mund të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ukrainës, ose pas disa javësh, por Rusia mund të ndjekë edhe rrugën diplomatike”, tha Sullivan për Fox News Sunday, transmeton VOA.
Avionë luftarakë rusë vazhdojnë të mbërrijnë në aerodromin ushtarak në Brest të Bjellorusisë. Avionët e tipit Su-25M janë të projektuar për të goditur objektiva tokësore dhe veprojnë në mbështetje të manovrave të njësive në tokë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjten se ka lëvizje domethënëse ditët e fundit të forcave ushtarake ruse drejt Bjellorusisë, vend fqinj i Ukrainës.
Kremlini thotë se stërvitja në Bjellorusi që pritet të përfundojë më 20 shkurt, është një përgatitje për të smbrapsur forcat e huaja dhe thotë se njësitë do të tërhiqen pasi të përfundojnë manovrat.