Gjatë njëzetekatër orëve të fundit Rusia ka vazhduar bombardimin e disa qyteteve në Ukrainë.

Shpërthime të fuqishme janë raportuar nga qyteza Irpin që gjendet në pjesën periferike në veri-perëndim të kryeqytetit Kiev.

Ndërsa, në qytetin jugor të Mariupolit kanë vazhduar bombardimet edhe pse ishte planifikuar një armëpushim për t’u mundësuar qytetarëve të largohen.

Gjithashtu, bombardime të mëdha janë raportuar edhe në qytetet Kharkiv dhe Sumy në pjesën lindore të Ukrainës.

Gjatë ditës së shtunë, Sekretari amerikan Antony Blinken ka qëndruar në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës ku ka takuar Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.

Kuleba ka falënderuar Shtetet e Bashkuara për ndihmën por ka ripërsëritur shpresën e tij për më shumë mbështetje ushtarake dhe për krijimin e një zone jo-fluturimi mbi qiellin e Ukrainës.

Ndaj kërkesës së fundit, Blinken ka ritheksuar që përgjigja është negative pasi një gjë e tillë do të mund ta vendos NATO-n në konfrontim direkt me Rusinë.

Ndërkohë, Presidenti rus Vladimit Putin ka paralajmëruar fuqitë perëndimore se cilido shtet që vendos një zonë jo-fluturimi mbi Ukrainën do të konsiderohet se i është bashkuar luftës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *