Kancelari gjerman Olaf Scholz e ka bërë të qartë se është kundër shkurtimit të procedurave të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke ndërlidhur çështjen me rastin e Ukrainës dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Szholz tha se Ukrainës duhet t’i ofrohet “mbështetje e shpejtë dhe pragmatike” por që kjo nuk nënkupton anëtarësim të shpejtë të saj në Bashkimin Evropian.

“Ukraina ka aplikuar për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Komisioni pritet ta japë vlerësimin e tij për aplikimin përpara Këshillit të BE-së, në fund të qershorit. Dhe në të njëjtën kohë, të gjithë e dimë se Emmanuel Macron ka të drejtë kur thekson se procesi i anëtarësimit nuk është çështje e disa muajve, por e disa viteve”, ka thënë ai në një deklaratë qeveritare të mbajtur të enjten në Parlamentin gjerman.

“Unë do të diskutoj mënyrën më të mirë për ta bërë këtë me kolegët e mi, por nuk është rrugë e shkurtër në rrugën drejt BE-së, pasi duhet të tregohemi të drejtë me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz, transmeton DW.

Në lidhje me perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE, Scholz theksoi se Gjermania po përpiqet për të shmangur pengesat për përparimin e negociatave.

Scholz foli edhe për Procesin e Berlinit, të iniciuar nga paraardhësja e tij Angela Merkel, duke paralajmëruar edhe vizitën e tij të parë në rajon qysh në qershor. “Do të udhëtoj  me mesazhin e qartë se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *