Kreu i Aleancës Shqiptare në Maqedoninë e Veirut, Ziadin Sela, mendon se rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare u manipulua.
Për këtë, ai i fajson dy partitë të cilat arritën marrëveshjen për bashkëqeverisje, LSDM-në dhe BDI-në.
Në një intervistë për Gazetën Shqip, Sela ka shtjelluar gjithë pikëpamjen e tij se si duhet të funksionoj një vend demokratik, derisa ka treguar se si e sheh gjithë gjendjen politike në Maqedoninë e Veriut dhe çka mund të pritet në të ardhmen nga koalicioni qeveritar mes BDI-së dhe LSDM-së.
Sela thotë se kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka patur marrëveshje paraprake me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev.
“Marrëveshje për të ngritur tensionet ndëretnike dhe që të dy të arrijnë më lehtë te votuesi. Njëri te votuesi maqedon, e tjetri te ai shqiptar. Si e spjegoni ndryshe faktin që me gjithë “kundërshtitë e mëdha” arritën marrëveshje në afat rekord, vetëm tre ditë pasi z.Zaev mori mandatin për t’u bërë kryeminister? Akrobacizma të tilla z. Ahmeti i ka bërë në çdo cikël elektroal herë me Nikolla Gruevskin, e herë me Zoran Zaevin”, është shprehur Sela.
Ndër të tjera, i pyetur nëse do të ishte më mirë që të gjithë partitë shqiptare të bashkoheshin në zgjedhje, dhe kështu të kishin 32 deputetë të bashkuar, Sela tregoi se pse këtë nuk e sheh si veprim të mirë.
“Në demokracitë liberale, vlerë është llogaridhënia dhe vetshërimi i sistemit demokratik nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Një mundësi e tillë e bashkimit, do e varroste demokracinë brenda shqiptare akoma më shumë.
Lind pyetja logjike, kush do e përfaqësonte qytetarin shqiptar që do të ndjehet i papërfaqësuar nga një shumicë 32 deputetësh të bashkuar në qeveri? Mos harroni se në demokracitë e mirëfillta, edhe opozita është organ i sovranitetit të popullit, po aq sa edhe qeveria.”
Lexo intervistën e plotë këtu