Senatori amerikan Robert Menendez ka kritikuar qëndrimet e shprehura nga këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Menendez, që mban pozitën e Kryetarit të Komitetit për Politikë të Jashtme në Senatit Amerikan, ka thënë se  Kosovës i duhet njohja reciproke nga Serbia për të arritur paqe afatgjate dhe jo ndarje nëpërmjet Asociacionit.

Në një deklaratë në një ngjarje të organizuar nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane më 12 shkurt, Menendez ka thënë se SHBA-ja duhet të ketë qasjen që fillimisht të kërkojë njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton KOHA.

“Shqetësohem kur pash Cholletin… Lexova shkrimin e fundit dhe komentet e tij. Kjo s’është ajo që duhet të jetë politika e jashtme e SHBA-së referuar Kosovës dhe si merremi me Ballkanin Perëndimor. Neve na duhet paqe afatgjate dhe ajo s’mund të arrihet në vendime të këqija afatshkurtra”, ka thënë ai duke paralajmëruar se në Komitetin që udhëheq do të organizojë një seancë për çështjen e Ballkanit për të diskutuar për këtë çështje.

“Paqja afatgjatë vjen me njohje reciproke”, ka vazhduar ai duke theksuar se Serbia në vazhdimësi ka penguar rrugën e Kosovës në integrimin ndërkombëtar.

Njohjen reciproke e ka cilësuar si kushtin e parë para se të kërkohet diçka tjetër. “Vetëm me njohje reciproke dhe veprimet që ndodhin si rrjedhojë mund të ketë rrugë përpara për Kosovën dhe Ballkanin”, ka thënë ai.

Lexo më shumë këtu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *