Qeveria serbe ka protestuar ndaj Bashkimit Evropian pasi një nga webfaqet edukative të unionit e ka përshkruar shpikësin dhe pionierin e elektricitetit, Nikola Tesla, si “kroat i famshëm”.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha të shtunën se i ka dërguar notë proteste Brukselit kur ka mësuar se Tesla është përshkruar si “kroat” në një nga webfaqet edukative të BE-së për fëmijë.
Siç transmeton Radio Evropa e Lirë, ministri serb i kulturës, Vladan Vukosavljevic, ka kërkuar nga BE-ja që t’u kërkohet falje popullit serb. Ai e ka quajtur “virus i informacionit të rremë” referimin e BE-së për prejardhjen e Teslas.
Nikola Tesla lindi nën Perandorinë Austriake në territorin ku tani është shteti i Kroacisë. Tesla morri nënshtetësinë amerikane dhe për deakda jetoi në Shtetet e Bashkuara, derisa vdiq më 1943 në New York.