Në takimin e Kosovës dhe Serbisë në Uashington mund të arrihet ndonjë marrëveshje në fushën ekonomike, por vështirë të ndodh diçka rreth çëshjeve të mëdha politike, ka thënë profesori Daniel Serwer.
“Dyshoj se do të ketë një marrëveshje mbi çështjet e mëdha poltike të lidhura me normalizimin e marrëdhënieve, pasi përshtypja është se Beogradi nuk dëshiron të njohë Kosovën si të pavarur dhe sovrane, dhe Prishtina nuk mund të pranoj asgjë më pak se këtë”, ka thënë Serwer për gazetën serbe Danas.
Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë është paralajmëruar të mbahet takimi ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Richard Grenell, të dërguarit të SHBA-së për dialogun mes dy vendeve.
Duke shtjelluar mundësitë e asaj se çfarë mund të ndodh gjatë këtij takimi, Serwer tha se ekziston mundësia që të ketë disa mërrëveshje në fushën ekonomine, përfshirë Trepçën dhe Gazivodën.
Ndërsa, Shpetim Gashi nga Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëve tha për gazetën serbe se “nuk është e qartë por duket se pjesëmarrësit në takim” do t’i diskutojnë marrëveshjet e mëhershme rreth linjës ajrore dhe hekurudhës.
“Nëse i gjejnë paratë për këto projekte apo për të tjera marrëveshje që mund t’i nënshkruajnë, do të jenë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit, por nëse këto marrëveshje mbesin vetën “në letër”, nuk do të jenë të rëndësishme”, ka thënë Gashi.