Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj disa zyrtarëve rus, si reagim ndaj trajtimit që po i bëhet liderit të burgosur të opozitës, Aleksei Navalny.
Uashingtoni tha të martën se sanksionon shtatë zyrtarë rusë, pasi inteligjenca ka konstatuar “me besim të lartë” se zyrtarët e Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi qëndrojnë pas helmimit të Navalnyt me agjent nervor.
Lajmi u njoftua nga zyrtarë të lartë të administratës Biden.
Duke folur para gazetarëve gjatë një konference virtuale zyrtarët, thanë se lëvizjet po ndërmerreshin në koordinim me Bashkimin Evropian.
“Ne po i dërgojmë një sinjal të qartë Rusisë se ka pasoja nëse përdor armët kimike”, tha një zyrtar i lartë i administratës, transmeton VOA.
Sanksionet kundër shtatë individëve rusë bllokojnë çdo pronë të tyre në SHBA dhe gjithashtu i ndalojnë individët amerikanë që të bëjnë biznese me ta.