Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin si “mundësi të dukshme” që Rusia të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ukrainës në muajin shkurt.
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Emily Horne, ka deklaruar se Presidenti amerikan Joe Biden “tha se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt”.
Shtëpia e Bardhë tha se komentet e Presidentit Biden gjatë një bisede telefonike me homologun e tij të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, përforcuan shqetësimet që zyrtarët e administratës kanë shtruar prej kohësh, transmeton VOA.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se përgjigjja e SHBA-së ndaj kërkesave të saj “nuk ishte pozitive”, por shtoi se disa elementë të saj mund të çojnë në “fillimin e bisedimeve serioze për çështje dytësore”. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë kanë hedhur poshtë kërkesat kryesore të Moskës duke i quajtur ato si të papranueshme.
Zyrtarët e Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë zhvilluan bisedime të mërkurën në Paris dhe ranë dakord për një raund tjetër bisedimesh që do të mbahen në Berlin, në javën e dytë të muajit shkurt. Palët ranë dakord për një armëpushim zyrtar në Ukrainën lindore, sipas Dmitry Kozak, i dërguari i Kremlinit.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë, që druhen se Rusia mund të pushtojë së shpejti Ukrainën, vazhdojnë të protestojnë kundër grumbullimit të më shumë se 100,000 trupave ruse përgjatë kufirit të saj me republikën e dikurshme sovjetike, megjithëse Moska thotë se nuk ka në plan të sulmojë.