Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar se janë që para drejtësisë të vendosen të gjithë kriminelët e luftës.
Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett është takuar të martën me Ambasadorin e përgjithshëm amerikan për Zyrën e Drejtësisë Penale Globale, Morse H. Tan. Ata kanë ritheksuar se duhet të vendosen “të gjithë kriminelët e luftës para drejtësisë, pavarësisht kombësisë së tyre.”
Ata i kanë shpërfaqur qëndrimet në një takim të zhvilluar të martën me Kryeprokurorin e Shtetit në Kosovë, Aleksandër Lumezi dhe prokurorët nga Departamenti i Krimeve të Luftës në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), përfshirë edhe shefin Blerim Isufaj.
Në anën tjetër, Lumezi i ka informuar ambasadorët për disa hapa të ndërmarrë lidhur me hetimin e krimeve të luftës.
“Gjatë takimit, prokuroria kishte mundësinë t’u drejtohej ambasadorëve dhe t’i njoftoj me disa nga sfidat me të cilat përballen; Kryeprokurori i Shtetit Lumezi i informoi ambasadorët se për derisa zyra e tij kishte ndërmarrë hapa thelbësorë, PSRK trashëgoi më shumë se 900 raste të papërfunduara nga EULEX dhe u deshën më shumë resurse për të lëvizur para. Shefi Isufaj informoi grupin se mungesa e koordinimit me Serbinë dhe paaftësia për t’iu bashkuar INTERPOL-it dhe grupeve tjera ndërkombëtare, paraqitën pengesë në punën e tyre. Në fund, zëvendës-shefi Valdet Gashi foli për 19 aktakuzat që zyra e tij kishte ngritur që nga viti 2018, dhe një rast i cili arriti deri në gjykimin përfundimtar”, thuhet në komunikatë, transmeton Gazeta Express.