Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur rikthimin e shtetasve kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri.
Së fundmi, në Kosovë janë riatdhesuar 11 kosovarë të cilët kishin shkuar në pjesë të Sirisë ku kohë më parë kishte konflikte dhe luftë.
Duke shpërndarë postimin e Ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, ambasada amerikane në Kosovë ka lavdëruar këtë veprim të qeverisë kosovare.
“Kthimi i këtyre shtetasve demonstron vullnetin e Kosovës që të marrë përgjegjësi për shtetasit e saj, teksa vendos shembull edhe për të tjerët. Kosova është lidere në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.
Rreth 400 shtetas të Kosovës udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut që prej vitit 2011, kur shpërtheu konflikti. Nga ajo kohë janë kthyer mbi 240 qytetarë.