Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të pranuar propozimin evropian për dialogun me Serbinë është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara.

Këtë e ka deklaruar të premten Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Në një postim në Twitter ai tha se ka biseduar për këtë çështje me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dyja vendet”, ka shkruar Chollet.

Duke e shpërndarë postimin, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se SHBA do të mbështesin plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin evropian.

“Ky përparim është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”, shkroi ambasadori Hovenier.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se e pranon propozimin me gjithë shqetësimet rreth trysnisë perëndimore për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, transmeton VOA.

Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për t’i bindur që të nënshkruajnë një marrëveshje, ndërsa thanë se palët duhet të deklarojnë deri në mars nëse pranojnë propozimin e tyre për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja.

Propozimi evropian, nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *