Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara nuk iu përgjigjën shqetësimeve kryesore të Moskës në lidhje me krizën e fundit në raport me Ukrainën.
Megjithatë, Lavrov tha se përgjigjet japin shpresë për fillimin e një dialogu serioz, por vetëm për çështjet dytësore dhe jo për ato themelore, transmeton VOA.
Ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, e dorëzoi dokumentin personalisht të mërkurën në Ministrinë e Jashtme të Rusisë. NATO-ja ia paraqiti përgjigjet e veta Rusisë veçmas.
Presidenti Vladimir Putin do të vendosë për hapat e ardhshëm të Rusisë në lidhje me përgjigjet me shkrim të SHBA-së dhe NATO-s që u dorëzuan të mërkurën, tha zoti Lavrov.
Mes kërkesave të Moskës ishte ajo që NATO-ja të mos vazhdonte zgjerimin duke anëtarësuar vende të tjera në krahun lindor, veçanërisht Ukrainën dhe Gjeorgjinë, si edhe të tërhiqte forcat dhe armatimet nga vendet e Evropës Lindore.