Rusia është duke u përgatitur për të fabrikuar një arsye për të pushtuar Ukrainën dhe sulmi mund të ndodh gjatë ditëve të ardhshme, kanë paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të enjten, Presidenti amerikan Joe Biden tha se një aksion ushtarak i Rusisë mund të ndodh menjëherë.

Biden gjithashtu deklaroi se një zgjidhje diplomatike ende është e mundur.

Në anën tjetër, Rusia e ka quajtur të pabazë akuzën se po përgatit një skenar për të arsyetuar fillimin e luftës, duke thënë se SHBA po kontribuon në ngritjen e tensioneve.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se Rusia po mendon pushtimin.

Siç transmeton BBC, Blinken nuk deklaroi qartë se çfarë forme të pretekstit do të kërkojë Rusia, por që sipas tij mundësitë përfshijnë “një të ashtuquajtur sulm terrorist të fabrikuar brenda Rusisë, një zbulim të krijuar të një varri masiv, një sulm të rregulluar me dronë ndaj civilëve, apo një sulm të rremë – ose të vërtetë – me armë kimike”.  

Gjithnjë sipas Blinken, në rast se një nga këto ndodhin atëherë qeveria e Rusisë do të “thërriste teatralisht” një tubim emergjent për të mbrojtur rusët etnik në Ukrainë dhe sulmet me raketa dhe bomba do të fillonin të sulmojnë caqet në Ukrainë.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *