Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Turqia dhe Greqia që në mënyrë diplomatike t’i zgjidhin mosmarrëveshjet.

Ky qëndrim i SHBA-së vjen pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi Greqinë të çmilitarizojë ishujt në detin Egje, duke shtuar se “nuk po bënte shaka” me paralajmërimin.

“Ftojmë Greqinë të ndalojë armatosjen e ishujve që kanë status joushtarak dhe të veprojë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare . Nuk po bëj shaka, po flas seriozisht. Ky vend (Turqia) është i vendosur”, tha Erdogan.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet dhe të mbrohet.

“Ne vazhdojmë të inkurajojmë aleatët tanë të NATO-s, Greqinë dhe Turqinë që të punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë diplomatike”, tha zëdhënësi.

“U bëjmë thirrje aleatëve tanë të shmangin retorikën që mund të rrisë më tej tensionet. Për Shtetet e Bashkuara, Greqia dhe Turqia janë të dyja partnere të forta dhe aleate kryesore të NATO-s”, vazhdon reagimi i Departamentit të Shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *