Për shkak të ndikimit ekonomik që vazhdon të ketë përhapja e virusit COVID-19, parashihet që edhe qytetarët e Kosovës të pranojnë më pak para nga familjarët e tyre jashtë vendit.

Sipas BQK-së, dërgesat e kosovarëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës mund të bien deri në nivelin që ndodhi gjatë krizës ekonomike globale të vitit 2009.

“Remitencat janë një nga kanalet që mund të preken për shkak të krizës pandemike. Kosova ka një varësi mjaft të lartë nga remitencat, duke pranuar një shumë prej mbi 10 për qind të Bruto Produktit Vendor në baza vjetore”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK.

Ndërkohë, hulumtuesi nga organizata joqeveritare Germin, Lirim Krasniqi, mendon se Kosova do të preket nga shkalla e rënies së remitencave që pritet të ndodh edhe në vendet tjera.

“Nga disa analiza që janë bërë jo për Kosovën, por për vendet tjera, vërehet që do të ketë një lëvizje prej 10 deri në 20 për qind të uljes së kapaciteteve financiare të diasporës në dërgesat ndaj vendeve amë. Kjo shkallë do ta prekë edhe Kosovën dhe pritet që në muajt e ardhshëm të kemi një ulje të remitencave”, është shprehur Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *