Nga 1 korriku, në Shqipëri ka hyrë në fuqi vendosja e gjobave ndaj subjekteve që përdorin qese plastike të ndaluara nga ligji.

Në të gjithë vendin do të përdoren qeset e letrës dhe qeset plastike me trashësi mbi 70 mikronë.

Sipas ligjit personat që prodhojnë, importojnë apo hedhin në treg qese njëpërdorimshme, të ndaluara, dënohen më një gjobë prej 5 milionë lekë të vjetra. Në rast përsëritje dënohen me 15 milionë lekë, deri në heqje licence biznesit.

“Shumë mirë që është bërë kështu se na mbyti pisllëku, plehrat, qeset plastike, që na zunë frymën. Gjithë Shqipëria është mbushur me to, sidomos lumenjtë, i keni parë vetë ju. Unë në një ditë përdorja disa qese plastike. Të gjitha ato janë zëvendësuar me qeset e letrës tani. E vonuar është si masë, por më mirë vonë se kurrë”, është shprehur një qytetar për Top Channel.

Përpjekjet për nxjerrjen nga qarkullimi të qeseve plastike nisën në vitin 2019, por u finalizuan vetëm tani.

Qëllimi është mbrojtja e mjedisit sidomos lumenjve dhe deteve nga plastika e dëmshme. Mesatarisht në një vit në Shqipëri përdoren mbi 3 miliardë qese plastike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *