Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke e akuzuar se është përgjegjës i sulmit kibernetik që i është bërë më 15 korrik ndaj sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe shërbimeve online.

Të mërkurën në mesditë, Kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi vendimin për ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet.

Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin i është njoftuar me notë zyrtare ambasadës në Tiranë së cilës “i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i te gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe personelin e sigurisë”, transmeton VOA.

Kryeministri Rama deklaroi se “kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar, po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend”.

Rama tha se “hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *