Qeveria e Shqipërisë edhe zyrtarisht ka dhënë qëndrimin e saj pro anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Përmes një vendimi, qeveria shqiptare ka miratuar protokollet për anëtarësimin e këtyre dy vendeve.

“Miratuam në parim protokollet e aderimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë. Pra, dhamë zyrtarisht dakordësinë tonë për zgjerimin e Aleancës dhe përfshirjen në të të këtyre dy vendeve”, ka deklaruar Ministrja e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka, transmeton Top Channel.

Ajo shpjegoi se çfarë ndodh më pas.

“Këto protokolle do të kalojnë më pas për ratifikim në Kuvend dhe kur kjo procedurë ratifikimi të jetë kryer në parlamentet e të 30 vendeve anëtare të NATO, por edhe nga parlamentet e vetë Finlandës dhe Suedisë, do të bëhet i mundur pranimi i tyre de jure në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Hapi final, përpara se të dy vendet të bëhen zyrtarisht anëtare të NATO është depozitimi i instrumentit të anëtarësimit pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në cilësinë e shtetit depozitues të këtij traktati”.

Ky vendim i qeverisë shqiptare vjen në një kohë kur anëtarësimi Suedisë dhe Finlandës në NATO rrezikohet nga një veto e Turqisë e cila thotë së këto dy vende janë kthyer në vendstrehim për mbështetës të Partisë së Punëtoreve të Kurdistanit PKK dhe kurdët e Sirisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *