Për të fituar shtetësinë e Republikës së Shqipërisë, personat që asnjëherë nuk e kanë pasur atë duhet të vërtetojnë prejardhjen nga Shqipëria, deri në ‘vijën e tretë’ të origjinës.

Komisioni i Ligjeve në Shqipëri ka miratuar nen për nen projektligjin për “Shtetësinë”, i cili ka zgjeruar mënyrat e fitimit të shtetësisë të cilat ndryshojnë në varësi të mënyrës së fitimit e të kategorisë së të huajve.

“Në rastin e rifitimit të shtetësisë shqiptare janë përcaktuar kritere më të lehtësuara, duke qenë se personi ka qenë shtetas shqiptar dhe ndaj tij nuk mund të aplikohen kritere të njëjta me shtetasit e huaj, por, gjithsesi, duke respektuar parimin e mosdiskriminimit”, ka thënë Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, transmeton ATA.

Ndërsa, sa i përket shtetasve nga Kosova që dëshirojnë të kenë shtetësinë e Shqipërisë, është sqaruar se ata duhet të vërtetojnë një lidhje origjine deri në brezin e tretë.

“Shtetasit kosovarë janë bashkëkombësit tanë dhe me këtë projektligj mund të dukej sikur të gjithë mund të merrnin pasaportën shqiptare. Por, nuk është kështu. Pasi projektligji thekson se fitimi i shtetësisë për origjinën, duhet deri në shkallën e tretë, e kemi pasur deri në vijën e dytë, por tani është deri në vijën e tretë, por mbi bazë të origjinës të certifikuar si origjinë shqiptare, pra një shtetas kosovar duhet të vërtetojë që të ketë gjyshen apo gjyshin nga Shkodra, Kukësi apo nga qytete të tjera të Shqipërisë. Unë besoj se ka të tillë, ashtu si ka të tillë dhe në zonat e tjera në Malin e Zi apo Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Voda.

Komisioni i Ligjeve pas diskutimeve votoi nen për nen pr/ligjin për shtetësinë dhe tashmë diskutimet do të vijojnë në ditët në vijim në Komisionin e Sigurisë Kombëtare si Komisioni përgjegjës për këtë ligj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *