Kontinenti i Evropës ka shënuar rritje të rasteve të infektimit me koronavirus, derisa numri i të infektuarve është shtuar edhe në gjithë botën.

Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për javën e fundi të muajit tetor kanë treguar rritje për tre për qind të rasteve të reja me Covid-19, transmeton VOA.

Raporti tregoi se Evropa shënoi rritjen më të lartë prej gjashtë për qind, pasuar nga Amerika me një rritje prej tre për qind dhe zona e Paqësorit perëndimor, me një rritje prej dy përqind.

Ndërkohë, OBSH njoftoi gjithashtu të mërkurën se ka miratuar vaksinën Covaxin për COVID-19 për përdorim urgjent. Covaxin është vaksina e parë e prodhuar nga India që merr këtë autorizim.

Në një deklaratë, OBSH-ja thotë se Grupi i saj Këshillimor Strategjik i Ekspertëve për Imunizimin, rishikoi vaksinën me dy doza dhe e rekomandoi atë për përdorim në grupmoshat 18 vjeç e lart. Grupi Këshillimor arriti në përfundimin se Covaxin kishte 78 për qind efektivitet kundër simptomave të COVID-19, 14 ose më shumë ditë pas dozës së dytë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *